Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Plani franko-gjerman, Escobar vazhdon mbështetjen, kërkon përfshirjen e publikut

Gazeta10
19 November 2022 - 16:06

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka vazhduar mbështetjen ndaj planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se progresi në dialogun Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm për gjithë stabilitetin rajonal dhe këtë e ka shpjeguar në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Më tej, ai ka thënë se janë duke u diskutuar detajet e propozimit dhe se pas këtij diskutimi duhet një përfshirje më e madhe e publiku.

 “Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian, në një kohë kur po përballemi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe me krizat e goditjeve që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën. Detajet e propozimit po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja. Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut”, tha Escobar.

Emisari amerikan ndër të tjera ka thënë se ka një partneritet të plotë me homologët e tij nga Bashkimi Europian për këtë proces.

 “Unë kam një partneritet të plotë me homologët e mi të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes vendeve të Quint-it. Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi”, ka thënë Escobar në një intervistë për RTK.

Tutje, Escobar ka thënë se SHBA-ja ka qenë e angazhuar vazhdimisht për të mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet e BE-së për ta menaxhuar situatën aktuale.

“Ky angazhim është politikisht, financiarisht, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe çdo mekanizmi tjetër që kemi për të siguruar rezultatin përfundimtar, që krijon stabilitet afatgjatë për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale” u shpreh Escobar. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.