
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla,ka vizituar pikat kufitare në veri të vendit, Jarinje dhe Bërnjak, raporton Gazeta10.
Ai ka vizituar po ashtu edhe stacionet e policisë kufitare në Jasenovik dhe Koshtovë.
Sveçla ka thënë se ka parë një motivim të lartë tek të gjithë zyrtarët të cilët po angazhohen për rendin dhe sigurinë në vend.
Më tej, Sveçla ka thënë se institucionet do të vazhdojnë me angazhim të lartë për të siguruar sundim të ligjit si dhe paqe të qëndrueshme.
Këtu keni statusin e plotë:
“Bashkë me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës vizitova pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe stacionet e policisë kufitare në Jasenovik dhe Koshtovë.
Nga kjo vizitë pash motivim të nivelit më të lartë tek zyrtarët policor të cilët në koordinim me të gjitha institucionet e sigurisë, me përkushtim po vazhdojnë angazhimet e tyre të përditshme që të ofrojnë rend, siguri dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Angazhimi i pakursyer institucional dhe siguria vazhdojnë të mbeten prioritete tona duke garantuar kështu sundim të ligjit dhe paqe të qëndrueshme në vend”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se para pak javësh, Lista Serbe dhe serbët e veriut janë tërhequr nga institucionet e Kosovës pas mospajtimit me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave si dhe shkarkimin e komandantit të policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq. / Gazeta10