
Në një lidhje direkte në programin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka thënë se gjendja aktualisht në këtë komunë pas vërshimeve është e qetë, raporton Gazeta10.
Latifi, ka thënë se gjendja është e menaxhueshme edhe përse ka pasur disa dëme por krahasuar me vitet e kaluara, kësaj herë nuk ka dëme në toka bujqësore.
“Nuk kemi vërshime, e kemi përcjell në vazhdimësi gjendjen, ka pasur ngarkesë, por fatmirësisht kësaj herë është menaxhuar më mirë dhe nuk kemi dëme të mëdha në tokat bujqësore as private. Po them kështu sepse mund të ketë aty këtu ndonjë dëm por gjendja është e qetë edhe përse niveli i ujit ka mundur të rritet. Ne kemi përcjellë gjendjen në Fortesë, Krushë të Madhe, Malësi e Vogël e Ratkoc sepse janë pikat më kritike, por kësaj radhe kemi shpëtuar. Në rast se kemi paraqitje të dëmeve në kulturat bujqësore dhe të tjera dëme atëherë do të formojmë komisionin për të ndihmuar qytetarët.”, ka thënë Latifi.
Ndërkaq, kryetari ka thënë se Komuna e Rahovecit është përgatitur tërësisht për stinën e dimrit edhe në rast se ka mungesë të energjisë elektrike./Gazeta10