
Raporti:Arbenita Ilazi
Mungesa e hapësirës, e numri i madh i pacientëve, është një ndër problematikat kryesore me të cilat po përballet Klinika e Pulmologjisë në QKUK. Pacientët janë shprehur të shqetësuar për hapësirën e vogël në dhoma, derisa kanë thënë se po ndjehen të rrezikuar se mos po u barten infeksione të ndryshme nga njëri-tjetri.
Në këtë hapësirë të ngushtë të Klinikës së Pulmologjisë, katër pacientë me probleme të ndryshme pulmunare tashmë që disa javë janë duke marrë trajtim mjekësor.
Frika për përkeqësim të gjendjes gjatë qëndrimit në këtë klinikë, për ta thuhet se është më e madhe se sa shërimi i sëmundjeve që kanë.
Arsim Gashi i cili tashmë që 3 javë po merr trajtim në këtë klinikë thotë se hapësira e ngushtë e dhomës e numri i madh i pacientëve, po ndikojnë negativisht në gjendjen e tij shëndetësore.
Ai po ashtu, është shprehur i shqetësuar se mos ndonjë nga sëmundjet me të cilat janë të prekura pacientët tjerë, po barten edhe tek ai.
Shqetësime për hapësirën e pamjaftueshme në këtë klinikë kanë shprehur edhe pacientë tjerë.
Ndërkaq, shqetësime ka ngritur edhe vet drejtori i klinikës, Musa Hoxha. Ai ka thënë se numër i madh i pacientëve kërkojnë trajtim në klinikë, por që numri i dhomave dhe i shtretërve është i vogël.
Për shkak të hapësirës së kufizuar, Klinika e Pulmologjisë disa herë është dashur që t’i transferoj pacientët në klinikat tjera për trajtim të mëtutjeshëm.