
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Festat e nëntorit, ndërvite janë bërë edhe më të lavdishme për shqiptarët. Pikërisht, në datën historike të popullit, 25 vjet më parë u bë edhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Kanal10.
Ishte viti 1997, kur sërish do të ndryshonte rrjedha e historisë shqiptare.
Kalendari i zhvillimeve të rëndësishme nuk do të ndryshonte, pasi data kishte shërbyer se frymëzim për shekuj e gjenerata të tëra.
Pikërisht 28 nëntori, do të ishte një tjetër datë, përmes së cilësdo të vazhdohej rruga e historisë dhe idealit.
E njohur si Dita e Flamurit, si Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, si ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jashari, 28 nëntori do të pasurohej edhe më shumë si festa e shqiptarëve.
Atë ditë, 25 vjet më parë, tre burra me uniformë për herë të parë do të dilnin publikisht si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ngjarje, po ndodhte në ditën kur po varrosej mësuesi Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, i cili ishte vrarë nga forcat serbe.
Rexhep Selimi, Daut Haradinaj e Mujë Krasniqi, ishte treshja e UÇK-së, të cilët e bënë publike për herë të parë forcën që kishte veç një qëllim, lirinë e Kosovës.
Deklaratën e tyre, do të dëgjonin mijëra qytetarë.
Kësaj dalje i paraprinë luftimet e para frontale në disa fshatra të Skenderajt ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.
Më 25 nëntor, në Vojnik të Skenderajt, forcat serbe u sulmuan nga UÇK-ja nën komandën e Adem Jasharit.
Luftimet vazhduan edhe të nesërmen, më 26 nëntor, ku pas katër orë luftimesh, forcat e policisë serbe u tërhoqën duke lënë shumë të vrarë e plagosur, luftë që zgjati deri në qershor të vitit 1999, me Kosovën që fitoi lirinë, fal luftës së UÇK-së dhe ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare./Gazeta10