
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Raportuesin Special të Kombeve të Bashkuara, Fabian Savioli, ku ndër të tjera kanë folur për krime të luftës, raporton Gazeta10
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Z.Savioli ka shprehur mirënjohjën për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës.
“Z.Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës”.
Më tej, thuhet se kryeministri Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi.
“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi. Ai tha se na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej, Kurti ka theksuar temën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës si dhe domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore të Serbisë.
“Kryeministri Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë. / Gazeta10