Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Grenell: Negociatat Prishtinë-Beograd po dështojnë, na mungon Thaçi

Gazeta10
30 November 2022 - 10:01

Ish emisari i ish presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka thënë se negociatat Prishtinë-Beograd po dështojnë, duke thënë se është duke munguar ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Gazeta10.

Grenell ka thënë se Departamenti i Shtetit aktualisht është duke negociuar me europianët.

“Ne shohim që negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës po dështojnë, sepse Departamenti i Shtetit po negocion me europianët – dhe kur i lini ata të udhëheqin – ju merrni shumë fjalë dhe pak veprime”, tha ai për televizionin publik serb.

Më tej, Grenell ka thënë se Kurti nuk është i dobishëm për këto rrethana dhe se ai ka refuzuar çdo ide si amerikane si europiane.

“Shiko, mendoj se ne e dimë që Kurti thjesht nuk është i dobishëm në këtë situatë. Kam biseduar me të dhe ai është dikush që nuk i ka pëlqyer kurrë asnjë ide. Ai hodhi poshtë çdo ide që i ofronin amerikanët. Tani ai hedh poshtë idetë e ofruara nga europianët. Edhe administrata Biden duhet ta kritikojë atë. Unë gjithashtu mendoj se ai nuk po i shërben popullit të tij. Nuk ndihmon në këtë situatë. Na mungon Thaçi këto ditë”.

Grenell ka thënë se nën Administratën Trump Kurti është trajtuar shumë ashpër.

Ai tha se kur ishte Administrata Trump, “Kurtin ne e trajtonim shumë ashpër”.

Më tej, Grenell ka shpjeguar edhe filozofinë politike të administratës Trump për të cilën ka thënë se në fokus e ka pasur zhvillimin ekonomik.

“Ne në administratën Trump mendonim se të ulesh rreth tavolinës dhe të flasësh për politikën nuk do të shkonte askund. Ne donim zhvillim ekonomik. Kjo do t’i çonte gjërat përpara”. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.