
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Të mërkurën ambasadorët e shteteve të BE-së ia kanë dhënë dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën. Ata janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Në bazë të vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit. Vendimin e ka mirëpritur kryeministri Albin Kurti, i cili meritat ia ka atribuar qeverisë.
Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Në bazë të këtij vendimi, qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm me hyrjen në fuqi të sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS.
Edhe nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri më 1 nëntor të vitit 2023, kosovarët do të mund të lëvizin pa viza para 1 janarit të vitit 2024.
“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”
Vendimin e ka mirëpritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili meritat ia ka atribuar qeverisë.
Ndërsa, njohës të proceseve integruese kanë treguar se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm të cilët duhet të ndiqen deri te liberalizimi i vizave.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.