
Mediat në Kosovë dhe Norvegji kanë raportuar për vdekjen e një shqiptari të Kosovës nga Peja, Artan Zymberi në një burg në Sebri. I ndjeri ishte edhe shtetas i Norvegjisë.
Ishin pikërisht mediat norvegjeze që raportuan të parat më 30 nëntor për vdekjen e tij.
Ministria norvegjeze i tha Prishtina Insight se ishte në dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi dhe se tashmë i ka ofruar përkrahje konsullore familjes.
“Shërbimi i Jashtëm norvegjez njoftoi të afërmit dhe ofroi ndihmë konsullore për familjen,” tha Lars Gjemble, nga ministria. Sipas Ministrisë, për shkak të legjislacionit norvegjez mbi detyrën e fshehtësisë, Shërbimi i Jashtëm nuk ishte në gjendje të komentonte mbi çështjet konsullore me askënd tjetër përveç atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt.
“Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve”, shtoi zyrtari i ministrisë.
Prishtina Insight i ka dërguar pyetje Ministrisë së Jashtme të Serbisë për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se një burrë vdiq në një burg në Serbi më 27 nëntor, i cili “refuzoi të trajtohej për një sëmundje që kishte”.
Ministria tha se ai kishte marrë “kujdes të plotë mjekësor” dhe “kontrolle të rregullta”. Sipas ministrisë, Zymberi, gjatë vuajtjes së dënimit, u dërgua disa herë në një spital special të burgut në Beograd.
Thuhet se ai kishte refuzuar mjekimin dhe ushqimin në disa raste. Hera e fundit që ka qëndruar në spitalin special ka qenë nga data 28 korrik deri më 17 shtator të këtij viti.
Vdekja e tij bëri bujë, pasi familja e Zymberit pretendon se ai u vra në burg për motive etnike-kombëtare – sepse trupi i tij kishte tatuazhe të figurave kombëtare shqiptare dhe të Kosovës, si Adem Jashari dhe Skenderbeu.
Xhaxhai i Zymberit, Nexhat, tha se nuk do të bëjnë asnjë deklaratë derisa të bëhet autopsia e trupit të pajetë në Norvegji.
“Nuk mund të flas me ju deri në rezultatet e autopsisë. Ka shumë dyshime këtu në Norvegji, por do të presim derisa ta marrin kufomën”, tha Nexhat Zymberi për Prishtina Insight.
Sipas tij, trupi pritej t’i kthehej familjes të mërkurën./Gazeta10