
Raporti: Arbenita Ilazi
Punëtorët e mirëmbajtjes së shkollave e Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kanë protestuar para objektit të komunës. Ata kanë kërkuar rritje të pagave dhe kthimin e tyre nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës. Nëse nuk rriten pagat deri në shkurt, ata kanë paralajmëruar se do ta lënë punën.
Nuk punohet për 200 euro, ishte njëra ndër pankartat që mbanin në duar.
Punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe ata të sigurimit kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.
Dy kërkesat e tyre kryesore janë rritja e pagave dhe kthimi nën menaxhim të Komunës së Prishtinës.
Nazim Hyseni, punëtor teknik në shkollën fillore “Naim Frashëri”, ka thënë se me pagën që merr nuk arrin që t’i sigurojë as gjërat elementare për familjen.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nëse nuk rriten pagat deri në shkurt, pas kësaj periudhe punëtorët do të largohen nga puna.
Ai ka thënë se këta punëtorë nuk i kanë marr as shtesat prej 50 eurosh.
Ndryshe, në pakon për përballjen me inflacionin, Qeveria e Kosovës nuk pati përfshirë punëtorët e sektorit privat, me arsyetimin se kompanitë kanë mjaftueshëm kapacitete për rritjen e pagave. / Kanal10