Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Zhvillimet e fundit, Krasniqi: Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim

Gazeta10
10 December 2022 - 20:33

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria duhet të jap përgjegjësi për prapakthimin e vendit duke komentuar shtyerjen e zgjedhjeve si dhe vendosjen e barrikadave sot, raporton Gazeta10.

Kransiqi ka thënë se PDK ka qenë për të garantuar sigurinë si dhe kushtet për zgjedhjet në veri.

Më tej, ai ka thënë se presidentja dhe kryeministri kanë shfaqur paaftësi në krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve.

Tutje, Krasniqi ka thënë se në këtë situatë sfiduese PDK kërkon nga institucionet që ta rrisin vëmendjen.

Këtë keni postimin e plotë:

“Sot, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, e tëra që kemi kërkuar si PDK nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ka qenë garantimi i sigurisë dhe kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, fatkeqësisht, sot kuptuam se qeveria ka dështuar në zbatimin e mandatit të saj për t’i krijuar këto kushte.

Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor.

Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Të vetëm, si PDK, pavarësisht qëndrimit tonë konsistent, ne nuk mund të imponojmë mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, sepse instrumentet e nevojshme dhe përgjegjësinë shtetërore për këtë e ka Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Por, kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues.

Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.

Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zbrapsën.

Në këtë situatë sfiduese, PDK kërkon nga të gjitha institucionet relevante shtetërore që të rrisin vëmendjen dhe angazhimet e tyre në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar sovranitetin në çdo cep të shtetit tone”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale në veri janë shtyrë për në prill të vitit 2023, teksa veriu i Kosovës është përballur së fundmi me sulme sistematike me bomba, ndërsa sot ka pasur edhe vendosje të barrikadave. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.