Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pjetër Shala alarmon se iu shkelën të drejtat nga Specialja, dorëzon ankesë në Kushtetuese

Gazeta10
22 September 2026 - 15:18

Pjetër Shala, i dënuar nga Gjykata Speciale, shkalla e dytë, me 13 vjet burgim – është ankuar në Gjykatën Kushtetuese e cila funksionon si njësi përbrenda Dhomave të Specializuara. Shala pretendon se janë shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.

Ankesa ka të bëjë me argumentimin e mbrojtjes se urdhri për dëmshpërbilimin e viktimave prej 208 mijë eurosh, u dha para se “vendimi për dënimin e tij të kishte marrë formën e prerë”.

“Mbrojtja ishte e detyruar të paraqiste njoftimin e Apelit kundër urdhrit për dëmshpërblim deri më 29 janar 2025, ndërsa aktgjykimi i Apelit për themelin e çështjes u nxor vetëm më 14 korrik 2025 – disa muaj pas skadimit të afatit për njoftimin e Apelit dhe për parashtresën e Apelit të mbrojtjes kundër urdhrit për dëmshpërblim, e cila duhej të dorëzohej më 14 mars 2025”, thuhet në ankesën e Shalës.

DOKUMENT:

Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kishin konstatuar se Shala kishte mundësi kohore dhe procedurale të paraqiste Apelin e tij për zhdëmtimin e viktimave. Por, mbrojtja thotë se vendimi për dëmshpërblim, do të duhej të jepej pas vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen në tërësi.

Tutje, Shala pretendon gjithashtu se Gjykata Speciale “nuk ka faktuar në mënyrë të mjaftueshme lidhjen juridike dhe faktike ndërmjet krimeve për të cilat Z. Shala është dënuar dhe kategorive të dëmit për të cilat ai është urdhëruar t’i kompensojë viktimat”.

“Vetë arsyetimi i Trupit Gjykues dëshmon rëndësinë e kësaj çështjeje. Sa i përket gjendjes shëndetësore të W04733, Trupi Gjykues pranoi se jo të gjitha aspektet e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ndër vite ishin rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve. Megjithatë, ai arriti në përfundimin se brutaliteti i krimeve dhe gjendja e W04733 pas kthimit në shtëpi mund të “kenë pasur një efekt përkeqësues” në shëndetin e tij”, thuhet në ankesën e Shalës.

DOKUMENT:

Pretendimet e Pjetër Shalës shtrihen edhe në shumën e dhënë për zhdëmtimin e viktimave. Sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë lidhshmërinë mes dëmit të shkaktuar ndaj viktimave dhe shumës së caktuar për dëmshpërblim.

“Urdhri për Reparacion caktoi 30,000 euro për shpenzimet mjekësore të W04733. Në materialin provues përfshihen vlerësime të shpenzimeve mjekësore, përfshirë dëshmi nga W04733 dhe W03/04. Trupi i Apelit vëren se W04733 dhe W03/04 kanë paraqitur vlerësime, ku njëri prej vlerësimeve arrinte deri në 150,000 euro. Ekzistenca e këtyre vlerësimeve nuk dëshmon se 30,000 euro ishte shuma e provuar. Prandaj, pyetja thelbësore është: pse 30,000 euro?”, shton ankesa.

DOKUMENT:

Pjetër Shala është i dënuar me 13 vjet heqje lirie nga Gjykata Speciale. Fillimisht, shkalla e parë i kishte shqiptuar atij 18 vjet burg, por që në shkallë të dytë dënimi ishte ulur për pesë vjet.

Trupi Gjykues kishte urdhëruar Pjetër Shalën të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që iu shkaktua viktimave të krimeve për të cilat ai u shpall fajtor.

Vendimi për dëmshpërblim ishte kundërshtuar nga Shala edhe në Apel edhe në Supreme të Gjykatës Speciale.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.