
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, gjatë së cilës ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në vend.
Kërkesa vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit përgjegjës penalisht për krime lufte, ndërsa aktgjykimi është i shkallës së parë.
Në konferencë, kryetari i kësaj qendre, Bardhyl Mahmuti, tha se vendimi i 16 shtatorit, sipas tij, paraqet një situatë të jashtëzakonshme dhe cenon, siç u shpreh ai, kushtetutshmërinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ ka vendosur të mbajë konferencën e parë, sepse konsiderojmë se jemi para një gjendjeje të jashtëzakonshme.”
Ai tha se vendimi i Dhomave të Specializuara, të cilat ai i përshkroi si institucione që “pretendojnë se janë të Kosovës”, sipas tij, “rrënon kushtetutshmërinë e Kosovës”.
“Duke cenuar rëndë arritjet kushtetuese, duke cenuar rëndë pavarësinë e Kosovës, duke hapur rrugë për të nxitur të gjitha përpjekjet luftënxitëse nga kjo pjesë e Ballkanit, mobilizimi i të gjitha anëve është një domosdoshmëri e kohës”, tha Mahmuti.
Mahmudi bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike dhe për një mobilizim të përbashkët, duke e lidhur këtë me, siç tha, nevojën për mbrojtjen e shtetit të Kosovës përballë rreziqeve.