
Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka kritikuar ish kryeprokurorin e Gjykatës Speciale, Jack Smith, raporton Gazeta10
Ai fillimisht e ka shpërndarë një pjesë të fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Këshillin e Europës, ku ka kritikuar europianët për bazën mbi të cilën është themeluar kjo gjykatë.
“Ia vlen të shikoni. Kryeministri shqiptar Edi Raam kritikon europianët për arrestimin e Hashim Thacit, 20 vjet pas akuzave të paprovuara. Pse prokurori priti kaq gjatë? Pse veproi kur veproi? Sepse Thaçi po punonte me Trump”, ka shkruar Grenell në postimin e tij të parë në Twitter.
Më tej, në postimin e tij të dytë për të njejtën çështje, Grenell ka thënë se po i njejti prokuror politik është emëruar nga presidenti aktual Biden për ta ndjekur ish presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Dhe me mend kush ishte prokurori politik i pamatur? Jack Smith – djaloshi i emëruar Biden për të ndjekur penalisht Trump. Jack Smith veproi për të paditur Thaçin vetëm pasi ai u informua nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së se unë negociova një marrëveshje për t’i dhënë fund Tribunalit të zgjatur 20-vjeçar (puna e tij e qetë evropiane)”, ka shkruar Grenell në postimin e tij të dytë në Twitter.
Kujtojmë se Jack Smith ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të Gjykatës Speciale dhe është angazhuar tani në kuadër të një hetimi ndaj ish presidentit Donald Trump.
Përndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, janë në paraburgim në Hagë nën akuza për krime lufte. / Gazeta10