Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Kurti njofton për vendimet që janë marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë

Gazeta10
14 December 2022 - 10:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vendimet që janë marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, raporton Gazeta10.

Kurti ka thënë se janë marrë 31 vendime teksa ka përmendur më të rëndësishmet.

Ai ka thënë se janë miratuar nisma për marrëveshje ndërkombëtare për projekte në infrastrukturë, në drejtësi dhe në energji.

Kështu, kurti ka filluar duke përmendur subvencionimin e energjisë për qytetarët si dhe mjetet për masat e Pakos për Përballjen me Inflacionin.

Më tej, ai ka përmendur edhe për kompenzimin e dëmeve të shkaktuar në bujqësi nga komunat e prekura si dhe vendimet e tjera që janë marrë në atë mbledhje.

Këtu keni statusin e plotë:

“Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, të 112-të me radhë, nga 31 vendime, mes tjerash:

Miratuam gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare për projekte në infrastrukturë, drejtësi e energji.

Që çmimi i energjisë elektrike për qytetarët të jetë më i përballueshëm, ndamë mjete për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.

Ndamë mjete për masat e Pakos për Përballje me Inflacion, në mbështetje të amvisërisë që kanë kursyer energji, për punëtorët e ndërmarrjeve publike, për punëtorët e sektorit publik dhe për studentët.

Aprovuam Planin e Veprimit për pakon e përkrahjes buxhetore për krizën e energjisë brenda fondeve IPA 2023, me vlerë prej 75 milionë euro.

Iniciuam përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare në Kushtetutën e Republikës.

Miratuam kompenzimin e dëmëve të shkaktuara në bujqësi në komunat e prekura nga fatkeqësitë natyrore.

Për një shoqëri demokratike, institucione transparente, e gjithëpërfshirje në proceset qeveritare, miratuam Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.

Me qëllim të institucionalizimit të kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje të rralla, miratuam Koncept Dokumentin për Sëmundjet e Rralla. Miratuam edhe Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.

Themeluam Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Miratuam tre vendime për shpronësim për interes publik për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat e Mitrovicës dhe Podujevës.

Ndamë mjete për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo-shumicë, ndërtimi i të cilave kishte filluar në vitin 2019”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.