
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është hap i rëndësishëm, por shtoi se integrimi në bllok varet edhe nga dialogu me Serbinë, raporton Gazeta10.
“Është thelbësore që gjithë Ballkani Perëndimor të futet në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Për këtë Kurti tha se “është një ditë historike për Kosovën dhe një ditë e madhe për demokracinë në Evropë”./Gazeta10