
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se për secilin sukses të ministrisë që ai drejton meritore janë edhe shtetet partnere, raporton Gazeta10.
Mehaj ka thënë se ka pritur në një mbrëmje speciale ambasadorët, si dhe zyrtarët e tjerë të lartë të përfaqësive ndërkombëtare.
Më tej, ai ka thënë se me ta ndan vizionin e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Mehaj, ka uruar për përpjekje konstruktive në shërbim të paqes kurdo dhe kurdo.
Këtu keni postimin e plotë:
“Pak ditë na ndajnë nga përfundimi i këtij viti, dhe padyshim në çdo sukses të Ministrisë së Mbrojtjes meritor janë edhe përfaqësuesit e shteteve partnere të cilët kanë kontribuar në çdo hap të zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë dhe Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Andaj, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje krahas punonjësve të ministrisë, mbrëmë prita në një organizim të veçantë, ambasadorë, atashe të mbrojtjes, oficerë të NALT-it, ish-ministra e ish-komandant e deputetë, me të cilët ndajmë vlera dhe një vizion të përbashkët për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit por edhe më gjerë, duke realizuar synimin tonë për anëtarësim në NATO, rrugëtimin drejt së cilës e shohim të lidhur pashkëputshëm me miqtë tanë.
Qofshin gjithmonë përpjekjet tona konstruktive të orientuara drejt mbledhjes së forcave të njerëzimit për të kultivuar atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet kombeve, në mbështetje të vlerave demokratike dhe të paqes kudo dhe kurdoherë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10