
Kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka njoftuar se është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në Medare, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se arsyeja e kësaj ndaljeje ka qenë takimi i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin ka thënë se ka qenë konstruktiv.
“Arsyeja e qëndrimit tim në vendkalim është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv. Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”, tha Bogdanoviq për portalin serb N1, transmeton Gazeta10.
Më tej, ai ka thënë se policia serbe në kufi i ka thënë atij të zbriste nga autobusi dhe se kishte një urdhër që ai të ndalohej aty.
“M’u afruan pjesëtarë të policisë, ishin shumë profesionistë, më thanë që duhej të lija autobusin dhe të nxirrja gjërat. Me mua ka udhëtuar drejtoresha politike e Odgovor, Marija Iliq, e cila u solidarizua me mua dhe doli nga autobusi. Në ambientet e policisë më kontrolluan sendet e mia pa presion. Më thanë se kishte një urdhër që unë të ndalesha këtu, pa shpjeguar pse. Kështu është ndaluar edhe Rada Trajkoviq”, ka thënë Bogdanoviq.
Këto ditë edhe këshiltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim të Kosovës, Nenad Rashiqit, Rada Trajkoviq, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare të Merdares. / Gazeta10.