Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kusari-Lila: Nuk japim afate për heqjen e barrikadave, po synohet pengimi i marrëveshjes finale

Gazeta10
27 December 2022 - 13:08

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke komentuar situatën në veri ka thënë se nuk jep afate për heqjen e barrikadave dhe se me to po synohet pengimi i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, raporton Gazeta10.

Lila ka thënë se destabilizimi po vie në momentin kur dialogu është kthyer në binarë.

“Të gjitha ngjarjet që lidhen me vendosjen e barrikadave synim kanë parandalimin e arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që tregon se në momentin kur dialogu është kthyer në binarë të diskutimit mbi parimet dhe procesin i cili ka në qendër njohjen e ndërsjellët ka filluar rezistenca dhe bojkoti i dukshëm tashmë për të gjithë nga ana e Serbisë”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka thënë se me barrikadat janë duke u marrë edhe trupat e KFOR-it dhe EULEX-it.

“Barrikadat janë në ngjarje në vazhdim dhe janë organet kompetente të cilat merren me të prej ekzekutivit, organeve të sigurisë dhe pastaj trupat e KFOR-it dhe EULEX-it që janë duke bashkërenduar aktivitetin”, ka thënë ajo.

Tutje, Kusari-Lila, në konferencë për media, ka thënë se një situatë e tillë nuk i konvenon askujt përpos atyre që kërkojnë destabilitet.

“Duhet një kujdes i shtuar dhe i veçantë për faktin se ngjarjet të cilat po ndodhin në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës po provokohen drejtpërdrejt nga Serbia për destabilitet. Nuk isha lëshu në detaje për vënë afate dhe kohë, ato [ barrikadat] duhet të largohen sa më parë dhe është qëndrim i pakontestueshëm edhe i bashkësisë ndërkombëtare në dhe jashtë Kosovës. Situatë e tillë s’i konvenon askujt përveç atyre që kërkojnë destabilitet në Kosovë” tha Kusari-Lila.

Kujtojmë se në veriun e Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara disa rrugë në më shumë se dy javë meqë serbët lokal atje kanë vendosur barrikada.

Institucionet e Kosovës si dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e tyre si dhe uljen e tensioneve. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.