
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar situatën në veri, ka thënë se nuk mund t’i vendoset afat KFOT-it dhe se situata në veri po bëhet gjithënjë më e komplikuar dhe më serioze, raporton Gazeta10.
Haradinaj ka thënë se presidenti i Serbisë, Vuçiq, duhet urgjentisht që t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu.
Më tej, ai ka thënë se Kosova është përcaktuar për paqe dhe nuk mund të sfidohet nga askush.
“Situata në veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheqë njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e cila është përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për shtyp.
Më tej, ai ka thënë se Kurti dhe njerëzit e tij nuk janë duke vepruar njejtë dhe janë po të njejtit që e kanë krijuar këtë situatë me veprime të pamatura.
Ai ka thënë se misioni i KFOR-it është i pastërt si loti dhe se palë në Kosovë nuk janë as Ëashingtoni dhe Brukseli.
“Fatkeqësisht as Kurti e as njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt. Veprimet dhe deklarimet e pamatura të tyre, në vazhdimësi e specifikisht në këtë 3 muaj, veç sa e kanë bërë situatën më të rëndë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, nuk është palë, prandaj edhe nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Ëashnigtoni e as Brukseli. Ata janë aleatë të paqes e të sigurisë në Kosovë dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese ndaj tyre. E ardhmja e Kosovës është e lidhur përjetësisht me aleatët perëndimorë, posaçërisht me Amerikën”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka bërë një kërkesë edhe për serbët e Kosovës duke thënë që ata nuk duhet të bien pre e askujt.
Ai i ka ftuar ata që të largohen nga barrikadat.
“Kam një kërkesë edhe për serbët e Kosovës. Të mos bien pre e kalkulimeve politike të askujt, e as të Vuciqit. Të mos bëhen dëm kolateral. E ardhmja e tyre është në Kosovë. është në paqe dhe në harmoni më gjithë të tjerët, prandaj largohuni nga barrikadat”, ka deklaruar ai.
Më tej, Haradinaj ka thënë se prespektiva e përbashkët nuk arrihet me barrikadat, si politikë e Putinit dhe Rusisë.
“Përfundimisht, Amerika, Evropa e NATO i kanë shpëtuar popujt e ish- Jugosllavisë, edhe serbët, nga luftërat deri në zhdukje. Plot popuj të ish-Jugosllavisë sot janë në paqen e tyre, të integruar në Evropë, ose në rrugë pa kthim drejt integrimit. Perspektiva jonë e përbashkët është njohja e paqja midis nesh dhe kjo nuk arrihet pa ata që na kanë shpëtuar në një kohë. Kjo nuk arrihet me Rusinë e Putinit. Barrikadat sot janë vetëm interes i Putinit, por jo i Serbëve apo i Shqiptarëve”, është shprehur ish-kryeministri Haradinaj.
Kujtojmë se në veriun e Kosovës vazhdojnë të jenë shumë rrugë të bllokuara si shkak i barrikadave të vendosura nga serbët lokal atje në më shumë se dy javë.
Institucionet e Kosovës si dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e tyre si dhe uljen e tensioneve. / Gazeta10.