
Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar zhvillimet në veri, ka thënë se skenari pro rus i Serbisë është duke hyrë në një fazë kritike, raporton Gazeta10.
Ai ka kërkuar që të ndërhyjë Ëashingtoni si dhe gjithë partnerët perëndimor.
Më tej, ai ka thënë se gjendja mund të përshkallëzohet dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
Tutje, ai ka thënë se kryeministri të sillet në përputhje me situatën e krijuar.
Haradinaj ka thënë se gjendja është e rëndë dhe se kërkon maturi dhe koordinim.
Këtu keni postimin e plotë:
“Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike.
Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.
Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.
I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!
Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.
Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”, ka shkruar Haradinaj në llograinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se në veriun e Kosovës disa rrugë vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të barrikadave të vendosura në rrugë nga serbët lokal atje për më shumë se dy javë.
Së fundmi janë bllokuar përkohësisht edhe pikat kufitare me Serbinë.
Institucionet e Kosovës si dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e barrikadave si dhe uljen e tensioneve. / Gazeta10