
Prokurori special Afrim Shefkiu kërkoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj ish-policit Dejan Pantiq dhe kjo u aprovua me vendim të gjyqtarit te procedurës paraprake Mentor Bajraktari.
Ky i fundit të martën u zgjodh nënkryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, raporton Gazeta10.
Gazeta10 posedon aktvendimin e plotë për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Pantiqit.
Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës. Por, Pantiq nuk e vuajti paraburgimin në burg, ai gjatë gjithë kohës qëndroi në veri dhe për shkak të tij u ngritën mbi 10-të barrikada atje. Përkundër tensionve që shkaktoi, Pantiqit sot iu zbutë masa e sigurisë.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, theksohet se Pantiqit iu zëvendësua paraburgimi me arrest shtëpiak deri më datën 9 janar 2023.Me këtë vendim, urdhërohet Policia e Kosovës që ta marrin Pantiqin nga Jarinja dhe ta dërgojnë në shtëpinë e tij.
Propozimi i prokurorit të shtetit Afrim Shefkiu për zbutjen e masës së sigurisë për ish-policin Pantiq u bë me arsyetimin se janë duke u zhvilluar hetimet ndaj të pandehurit./Gazeta10
Tutje, si arsyetim u përmend edhe gjendja shëndetësore e Pantiqit dhe nevoja për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Serbët kishin vendosur kusht lirimin e Pantiq për heqjen e barrikadave dhe nuk dihet nëse lënia e tij në arrest shtëpiak do ti shtyjë serbët për heqjen e barrikadave./Gazeta10




