Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Hapen për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak (VIDEO)

Gazeta10
30 December 2022 - 19:13

Raporti: Saranda Aliu

Pasditen e së premtes, janë hapur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Hapja e tyre ka ardhur pas largimit të të gjitha barrikadave nga veriu i vendit. Automjetet e para, përfshirë mjete të transportit kanë kaluar nga territori i Kosovës në atë të Serbisë, si dhe anasjelltas.

Për më shumë se 20 ditë, në këtë pikë kufitare nuk ka kaluar asnjë automjet.

Por, që nga pasditja e së premtes, dy pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i janë kthyer normalitetit.

Jarinja dhe Bërnjaku janë hapur për qarkullim, pasi që rrugët që të çonin te to ishin të bllokuara që nga 10 dhjetori i këtij viti, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët. 

Kamionët që transportit mallra, prisni tri kilometra larg kufirit, në pritje që ai sërish të jetë i hapur për qarkullim.

E mallrat që u kanë mbetur në kamionë, duhet t’i dorëzojnë pas 14 ditësh.


“Shoferët e këtyre kamionëve kanë thënë se kanë disa orë që po qëndrojnë këtu duke pritur që dikush t’iu njoftoj se mund ta kalojnë kufirin. Mbrapa kamerës kanë thënë se situata e këtyre ditëve u ka sjell probleme të shumta, e sidomos ato financiare, pasi që sipas tyre, mbyllja e kufijve ua ka pamundësuar punën.”

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se pas largimit të të gjitha barrikadave, të dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak tashmë janë të kalueshme.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme. Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.”

Sipas Policisë së Kosovës, në këto dy pika kufitare do të vazhdojë puna për të gjithë zyrtarët policorë.

“Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues. Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.”

Pavarësisht largimit të të gjitha barrikadave, edhe gjatë së premtes, situata në veri të vendit ka vazhduar të monitorohet nga KFOR-i dhe EULEX-i.  / Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.