
Raporti: Arza Kastrati / Kanal10
Në mot të ftohtë e të nxehtë, rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera, edhe gjatë 2022-ës ishin të mbushura me lëmoshëkërkues. Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm për 6 muajt e parë të vitit kanë identifikuar 140 fëmijë lëmoshë kërkues. Ndërsa, nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë fajësuar institucionet që nuk po u dalin në ndihmë atyre, shkruan Kanal10.
140 fëmijë lëmoshëkërkues janë identifikuar nga Policia e Kosovës për gjashtë muajt e parë të vitit që lamë pas.
Një numër i tyre janë nga Kosova, por pjesa më e madhe është nga Shqipëria.
Ata vazhdojnë të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë të ndryshme të Prishtinës, me ndalimet kryesore në sheshet e kryeqytetit.
Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, 21 persona janë arrestuar si të dyshuar për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve.
“Identifikimi i 44 fëmijëve në situatë rruge, prej tyre 36 shtetas të Kosovës dhe 8 shtetas të Shqipërisë. Janë iniciuar dhe dorëzuar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse 18 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” neni 243 i KPRK-së dhe janë arrestuar 21 persona të dyshuar për po të njëjtën vepër. Të gjithë fëmijët janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe janë referuar në institucionet përkatëse në këtë rast në Qendrat për Punë Sociale”, tha Policia e Kosovës në një përgjgije për Kanal10.
Derisa, kërkojnë nga qytetarët që t’ua zgjasin dorën e t’u dalin në ndihmë, shpesh herë lëmoshë-kërkuesit fyhen e largohen me dhunë.
Nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, kanë ngritur shqetësime, derisa kanë thënë se lëmoshëkërkuesit janë harruar nga institucionet vendore.
Ndërsa, kritika ndaj ekzekutivit ka ngritur edhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
Duke e parë gjendjen ekonomike në vend, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë se numri i lëmoshëkërkuesve mund të rritet edhe më shumë.
Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës kanë treguar se me ndihmën e organizatës “Terre des homes” kanë krijuar një qendër ditore e cila ju ndihmon sadopak, me ushqime dhe veshmbathje të reja.
Ata u kanë bërë thirrje edhe komunave tjera që së bashku ta bëjnë të pamundurën për t’i larguar nga rruga këta persona.
Në rrugët e qyteteve të ndryshme në Kosovë, përveç fëmijëve, shihen edhe shumë të rritur, burra e gra që janë të përfshirë në kërkim të lëmoshës.