
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Nga kriza në krizë, nga një vit jo i suksesshëm ekonomik, vendi po fillon një tjetër vit që pritet të thellojë edhe me tutje varfërinë ekonomike.
Kosova në 2023 po merr me vete edhe problemet me të cilat ishte futur në vitin 2022.
Ndonëse pas lamë pandeminë, kosovarët jo për shumë kohe iu gëzuan lirimit nga shtrëngimi i masave, për shkak se ata u shtrënguan financiarisht pasi çmimet e pothuajse secilit produkt ne treg në 2022-ën do të kapnin shifra rekorde.
Krizën botërore të shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, padyshim se do ta ndjente edhe Kosova.
Pas kësaj jeta për qytetarët e Kosovës do merrte kahe tjetër.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve ndikoi jashtëzakonisht shume kur vlera e euros ra në atë të dollarit amerikan.
Kësisoj inflacioni në vitin 2022 do të arrinte nivelin më të lartë që nga viti 1998.
Në muajin qershor të vitit që lëmë pas, inflacioni kapi shifrën e 14,1% dhe 14,2% në korrik.
Rrjedhimisht, shporta e konsumatorit u varfërua për rreth 40 për qind. Rritjen e çmimeve të produkteve bazë nga qytetarët u cilësua e papërballueshme.
2022-ta u karakterizua edhe me çmimin e lartë të arit të zi.
Gjatë muajit qershor dhe korrik, litra e naftës kapi shifrën e 1 euro e 80 cent e herë herë deri në 1. 90 euro, duke e vështiruar edhe me tej jetën e qytetarit.
Me të kaluar në verë, problemet në ekonominë kosovare vetëm sa u shtuan.
Në kohën kur konsumi i energjisë është minimal, Kosova u përball edhe me krizë energjetike, duke bërë kështu që pas një dekade të riktheheshin reduktimet deri tri herë në ditë.
Këtë situatë e sollën rritja enorme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mos mbulimi i kostos së sistemit, çka solli edhe rritje të çmimit të faturave për kosnumatorët.
Për disa kohë shumë biznese do ta ndjenin reduktimin e energjisë, duke iu kushtuar atyre me humbje të mëdha.
Për shkak se nuk arritën te iu bëjnë ballë këtyre sfidave, shumë bizneseve iu vu dryni.
Kur dimri po afrohej e vendi po bëhej gati për fillimin e vitit të ri, u rritë çmimi i rrymës, i druve dhe peletit.
Një metër dru nga 30 euro sa ishte në vitin paraprak, në 2022 do të bëhej rreth 70 euro, e peleti do të kushtonte 600 deri në 700 euro për ton.
Në kohën kur vendi po përballej me krizë ekonomike, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar qytetarët e bizneset përmes pakos për ringjallje ekonomike.
Gjatë këtij viti, ekzekutivi kosovar ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale nga 170 në 250 euro.
Gjithashtu, në fund të 2022-s, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në dy leximet Ligjin për Pagat në sektorin publik.