Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Krerët të Listës Serbe kritikojnë kryeministrin Kurti, protesta përfundoi pa incidente

Gazeta10
08 January 2023 - 18:55

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

E në kohën kur po mbahej seanca ndaj të dyshuarit për plagosjen e dy personave, në Shtërpcë është mbajtur një protestë pas këtij rasti. Krerë të Listës Serbe kanë kritikuar kryeministrin Kurti, derisa kanë thënë se po kërkojnë vetëm paqe. Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, shkruan Kanal10.

Pas rastit të plagosjes së dy të rinjve, të dielën në Shtërpcë, serbët lokalë kanë organizuar një protestë.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Shtërpca është zemra e Serbisë” dhe “Ne duam vetëm paqe”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, teksa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se serbët nuk do të dorëzohen.

“Kohët janë të vështira sepse në krye të institucioneve të Kosovës është një njeri i verbuar nga urrejtja me të cilin nuk mund të negociohet. Qëllimi i tij është të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga vatrat e tyre. Lufta jonë me mjete paqësore dhe demokratike dhe harmonia jonë, janë armët tona më të forta për t’i rezistuar regjimit diktatorial anti-serb të Albin Kurtit. Më besoni, nëse jemi të bashkuar, me siguri do të fitojmë”, tha Goran Rakiq – Kryetar i Listës Serbe.

Kurse, kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka thënë se nga protesta po dërgojnë mesazh paqe.

“Mesazhi kryesor që po dërgohet është ai i paqes. Kur them paqe, mendoj se është koha e fundit që të garantohet siguria për popullin serb në këto territore. Ajo që ndodhi së fundi, duhet të jetë edhe paralajmërimi i fundit për të gjithë ata, që me politikën e retorikën e tyre, po ndikojnë te persona që në atë mënyrë të gjuajnë aq lirshëm në drejtim të fëmijëve. KFOR-it dhe Policisë së Kosovës do t’i kërkohet të rrisin praninë, të garantojnë sigurinë për gjithë qytetarët. Qytetarët kanë të drejtë të shqetësohen, fëmijët tanë nuk janë të sigurt. Në ditët në vijim do të kemi një takim dhe pas takimit do të bëjmë kërkesë zyrtare”, tha Dalibor Jevtiq – Kryetar i Shtërpcës.

Ndërkohë, para se të fillonte protesta, Policia e Kosovës, kishte bllokuar rrugën Shtërpcë-Prevallë, e cila më pas është hapur.

Përveç Policisë së Kosovës, protesta në Shtërpcë është monitoruar edhe trupat e KFOR-it.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.