
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Vështirësi, pritje e peripeci të ndryshme. Kjo është rruga me të cilën përballen mërgimtarët për të ardhur në vendlindje. Udhëtimi i tyre në disa raste u bëhet i vështirë, sidomos pas kalimit nëpër territorin e Serbisë. Pavarësisht kësaj, ata thonë se do të vazhdojnë të vijnë me kënaqësi në Kosovë, shkruan Kanal10.
Orë të tëra pritje për të ardhur, e po aq për t’u kthyer.
Mërgimtarët vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta për t’i kaluar pushimet në vendlindje.
Udhëtimet e tyre, shpesh bëhen edhe të rrezikshme teksa kalojnë nëpër Serbi për të hyrë apo për të dal nga Kosova.
Rasti i fundit i sulmit me gurë të autobusit me bashkatdhetarë, ka qenë njëri prej disa rasteve me të cilat ata janë përballur.
Gjithashtu, shqetësuese mbeten edhe arrestimet e herëpashershme të qytetarëve me nënshtetësi kosovare, siç ishte rasti i një 25-vjeçari, megjithëse ai më pas u lirua.
Por, pavarësisht vështirësive, mërgimtarët thonë se nuk do të ndryshojnë rrugë për të ardhur në vendlindje.
Kur ka nisur java e dytë e vitit të ri, ka ende mërgimtarë që presin në pikat kufitare për t’u kthyer në vendet ku jetojnë.
Ndërkaq, për sulmin ndaj autobusit me mërgimtarë, pas dy ditësh kanë reaguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Zëvendësministrja Liza Gashi e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si nxitës të dhunës ndaj shqiptarëve.
“Dje, një autobus i mbushur me mërgimtarë që udhëtonte nga Kosova për në Gjermani është sulmuar me gurë teksa kalonte nëpër Serbi. Fatmirësisht, askush nuk është lënduar. Megjithatë, ne jemi shumë të shqetësuar nga sulmi dhe dënojmë motivet pas këtij agresioni”, Liza Gashi – Zëvendësministre e MPJ-së.
Ndryshe, në muajin dhjetor, familjarët kishin ngritur dyshimet për mënyrën e vdekjes në një burg të Serbisë, të një shtetasi norvegjez me prejardhje nga Kosova.