
Lulëkuqja me katër penale pritet që shumë shpejt të marrë vulën institucionale për simbol të gjenocidit në Kosovë. Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti tregon se tashmë 14 komuna e kanë miratuar këtë simbol, shkruan Kanal10.
Katër lloje të krimeve të luftës mbi popullsinë civile shqiptare janë paraqitur në katër petalet e lulëkuqes, si dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.
Vrasje, dhunim seksual, spastrim etnik dhe shkatërrim të objekteve janë aktet makabre të forcave serbe të paraqitura në këto katër petale.
Ndërkaq, e zeza në qendër paraqet fëmijët, pleqtë, gratë dhe burrat të vrarë, të masakruar e të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti ka thënë se pret nga institucionet që kjo lulëkuqe të bëhet simbol i gjenocidit serb në Kosovë.
Ai ka thënë se lulëkuqja ka marr mbështetje të madhe nga shumë personalitete brenda dhe jashtë vendit, që ky simbol të ketë vulën institucionale dhe se sipas tij, tashmë 14 komuna e kanë miratuar atë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, muaj më parë u është drejtuar institucioneve të Kosovës me kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Kjo kërkesë, i është përcjell Presidentes së Kosovës, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, deputetëve, si dhe të gjitha partive politike.