
Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10
Të dielën është shënuar 24 vjetori i Masakrës së Reçakut, ku forcat serbe kishin vrarë dhe masakruar 45 civilë shqiptarë. Një numër i madh i familjarëve dhe qytetarëve kanë bërë homazhe në kompleksin memorial të varrezave të Reçakut, derisa kanë bërë thirrje për drejtësi.
24 vite më parë në këtë vend ishte kryer njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe kishin vrarë dhe masakruar 45 civilë shqiptarë të fshatit Reçak.
Tash e mbi dy dekada, familjarët vijnë dhe vizitojnë me të dashurit e tyre në kompleksin memorial të varrezave në Reçak.
Aziz Beqiri, i cili i ka mbijetuar kësaj masakre, ka rrëfyer për tmerrin e 15 janarit që kishin përjetuar, derisa ka thënë se në civilë ishin masakruar forma të ndryshme nga forcat serbe.
Në këtë masakër, forcat serbe ia kanë vrarë vëllanë edhe Maliq Bilallit, i cili ka ardhur nga Zvicra për të bërë homazhe.
Edhe qytetarë të shumtë nga shtete e qytete të ndryshme kanë ardhur në Reçak, për të kujtuar viktimat e rëna dhe të nderuar veprën e tyre.
Derisa, për këtë masakër nuk është dënuar askush, familjarët dhe qytetarët sërish kanë bërë thirrje për drejtësi.
Në fshatin Reçak të Shtimes, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri ku pas një aksioni disa orësh, policia serbe vrau 45 civilë shqiptarë.
Një ditë pas kësaj masakre, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker kishte vizituar vendin ku ishte kryer masakra dhe kishte alarmuar botën për krimin që ishte duke u kryer në Kosovë nga forcat serbe.