
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Të mbijetuarit dhe familjarët e të zhdukurve të rajonit të Mitrovicës, janë shprehur të befasuar me deklarimet e kryeministrit, Albin Kurti, që për ish-politikanin serb, Oliver Ivanoviq, thuri lëvdata duke e quajtur person që punoi për një Kosovë shumë etnike. Sipas tyre, është fyerje për ta kur kryeministri e lartëson figurën e një personi që ka qenë pjesë e organizatorëve të masakrave dhe vrasjeve të shqiptarëve, shkruan Kanal10.
Në këto rrugë të Kovaçëve në Mitrovicë, mes 14 dhe 16 prillit të vitit 1999, forcat serbe masakruan dhjetëra civilë shqiptarë.
Fotografitë e atyre që u gjeten tashmë janë gdhendur në këtë gur, derisa për fatin e shumë të tjerëve ende nuk dihet.
Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, përgjegjës për këtë krim e bëjnë edhe ish-politikanin serb, Oliver Ivanoviq, i cili është vrarë më 16 janar të vitit 2018, por që ky rast ende nuk është zbardhur.
Ata janë ndier të befasuar me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, këtë të fundit e ka quajtur si të përkushtuar për një të ardhme të qëndrueshme në Kosovë.
I mbijetuari Isa Mustafa, ka thënë se një deklaratë e tillë i shpeshton dhimbjet e kujtimet e tmerrit që përjetuan.
Edhe kryetari i shoqatës së të pagjeturve në rajonin e Mitrovicës, Bajram Qerkini, e ka kritikuar kryeministrin Kurti për lartësimin e figurës së Ivanoviqit.
Deklarimi i kryeministrit Kurti ka nxitur reagime të shumta në vend, pasi që vite më parë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte quajtur Ivanoviqin kriminel, si dhe udhëheqës i bandave kriminale në veri, të njohura si “Rojet e Urës”.
Ndërsa, nga pozita e pushtetit, Ivanoviq është vlerësuar si një kontribuues i lartë për një të ardhme të qëndrueshme në Kosovë.