Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Votat prej “shpisë” të dy asamblesitëve të PDK-së

Gazeta10
17 January 2023 - 19:08

Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10

Partitë opozitare në Vushtrri janë bërë bashkë për të shkarkuar kryesuesen e kuvendit komunal Melihate Basholli Latifi, pasi pretendojnë se e njëjta kishte lejuar votimin për dy asamblistë të PDK-së të cilët nuk kishin qenë në sallë në momentin e votimit. Për këtë kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve që në rend dite në seancën e radhës të futet shkarkimi i saj, derisa në listë nënshkrimin ka hedhur edhe një asamblist nga PDK-ja.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me kolegët e partive opozitare kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryesueses së kuvendit komunal të Vushtrrisë, Melihate Basholli Latifi.

Kjo pasi që në shkresë pretendohet se kryesuesja e kuvendit, në tetor të vitit të kaluar ka lejuar votimin për dy asamblistë të Partisë Demokratike të cilët nuk kanë qenë në sallë në momentin e votimit për ndërtimin e një lapidari në fshatin Pasomë.

Refik Maloku nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo shkelje ka ndodhur në prani të kryetarit e nënkryetarit, me ç’rast ka thënë se kanë ngritur kallëzim penal për këtë çështje.

Derisa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se si pasojë e këtyre shkeljeve, kanë kërkuar që në seancën e radhës të futet në rend ditë shkarkimi i kryesueses.

Për shkarkimin e kryesueses së kuvendit, Melihate Basholli Latifi, kishte hedhur nënshkrimin edhe bashkëpartiaku i saj, Ilmi Azemi.

Përmes një përgjigje me shkrim asamblisti Azemi ka treguar për arsyet pse ishte pro kësaj nisme, derisa ka potencuar se edhe më parë kishte kërkuar shkarkimin e kryetares së kuvendit.

“Unë kam vendos ti bashkëngjitëm propozimit të Grupit Kuvendar propozues, pasi që unë para disa muajve publikisht në diskutimin tim në seancën e Kuvendit kam thanë se kryesuesja e kuvendit ka dërguar shkresa e dokumente të besuara të komunës në AKK, në Ministri të ndryshme dhe organe tjera duke e prezantuar kërkesën kinse është vendim i  Kuvendit Komunal dhe ka autorizim për një veprimit të tillë. Qysh atëherë unë kam sugjeru kryesuesen që të jep dorëheqje.”, tha Ilmi Azemi – Asamblist i PDK-së.

Pretendimet e opozitës se kishte qenë pjesëmarrës në këtë seancë, i ka demantuar kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Sipas tij, kjo është një fushatë ndaj grave në pozitat që ai i kishte emëruar.

Kanal10 ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetarja e kuvendit komunal të Vushtrrisë, Melihate Basholli Latifi, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.