
Gjatë kësaj fundjave do të zhvillohet xhiro e 21 në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll, ku pritet të zhvillohen katër ndeshje mjaft interesante.
Lideri i tabelës, Prishtina e pret në kryeqytet skuadrën e Ponte Prizrenit.
“Bardhekaltërit” do të tentojnë fitoren për të mbajtur edhe më tej lidershipin në tabelë.
Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli do të ndeshet me Bashkimin, të cilët vijnë pas fitores së arritur kundër Pejës.
Kjo përballje luhet të dielën me fillim nga ora 19:00, në palestrën “13 Qershori”.
Përballje mjaft interesante gjatë kësaj fundjave do të luhet në palestrën “Shani Nushi”, ku do të përballen Vëllaznimi me Trepçën.
Të dy këto skaudra vijnë pas fitoreve që i arritën xhiron e kaluar dhe do të tentojnë vazhdimin e kësaj ecurie pozitive.
Peja do të mundohet të rikthehet te fitoret këtë fundjavë, me ndeshjen ndaj ekipit që renditet në pozitën e fundit në tabelë, Rahovecit.
Kjo ndeshje zhvillohet në “Karagaç”, të shtunën me fillim nga ora 17:00.