
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Disa shkolla në Skenderaj vazhdojnë të jetë në gjendje të rëndë, si pasojë e vërshimeve të para pak ditëve. Pavarësisht kësaj, procesi mësimor ka nisur në këtë komunë, pas pushimit njëjavor. Me gjithë intervenimet e Komunës në riparimin e objekteve shkollore, disa klasa vazhdojnë të jenë të papërdorshme për zhvillimin e procesit mësimor.
Librat e dëmtuara nga vërshimet vazhdojnë të qëndrojnë në dyshemenë e gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj.
Edhe dy javë pas përmbytjeve që goditën Kosovën ,disa klasë të kësaj shkolle vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.
Por, kjo nuk i ka penguar që nxënësit e klasave tjera t’i rikthehen procesit mësimor, pas pushimit njëjavor.
Megjithatë, drejtori i këtij gjimnazi, Hajdar Beka ka thënë se po vazhdojnë të përballen me pasojat e vërshimeve, pasi që objekti nuk ka ngrohje dhe u është dashur të gjejnë alternativa.
Pavarësisht kushteve dhe gjendjes së gjimnazit “Hamëz Jashari”, situata në shkollat tjera të Skenderajt është më e mire dhe nxënësit janë shprehur të lumtur për rikthim në bankat shkollore.
Ndërkohë, prindërit janë shprehur të lumtur që dëmet në shkolla janë rregulluar sadopak, në mënyrë që mësimi të mos humbet sërish.
Vërshimet e 19 janarit kanë shkaktuar dëme milionëshe në shumë komuna të Kosovës, ku ndër më të prekurat kanë qenë ajo e Podujevës, Mitrovicës, Klinës dhe Skenderajt.
Si pasojë e këtyre përmbytjeve, përveç shtëpive e bizneseve, ishin dëmtuar edhe objekte shkollore.