
Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po ndodhen në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.
Limaj, ka thënë se është një emocion i veçantë i kësaj vizite në prag të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, raporton Gazeta10.
“Emocion i veçantë që në vigjilie të 15-vjetorit të pavarësisë, t’i vizitoj dhe t’i uroj për këtë përvjetor themeluesit e UÇK-së, shpallësit e pavarësisë dhe shtetndërtimit. Miqtë dhe bashkëluftetarët e mi, Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin e Pjetër Shalen. Kjo është sprova e radhës e tyre, dhe siç janë të bindur ata në triumfin e drejtësisë, ashtu jemi të bindur edhe ne se do të dalin fitimtarë e faqëbardhë nga ky proces gjyqësor.”, ka shkruar Limaj.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./Gazeta10