Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kosova në ditë zie për Turqinë, vazhdon kontakti me kosovarët e prekur nga tërmeti

Gazeta10
07 February 2023 - 19:15

Raporti: Viola Korça / Kanal10

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur deri me tan, si pasojë e tërmetit prej 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e hershëm të së hënës. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj. Për t’u solidarizuar me Turqinë dhe Sirinë, Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë.

Babai po ia mbante dorën vajzës së tij adoleshente teksa ishte ulur pranë rrënojës së ndërtesës e cila u shembë e tëra si pasojë e tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën në mëngjes.

Pamje si kjo e Mesut Hancer, pranë vajzës së tij 15 vjeçare, të cilën e kishin zënë pllakat e betonit në shtratin e saj teksa po flinte, tregojnë tmerrin që ka shkaktuar ky tërmet.

Tashmë tërmeti shkatërrues me 7.8 ballë, deri me tani ka lënë të vdekur mbi 5.000 persona, derisa dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur. Po ashtu mijëra ndërtesa janë shembur.

Për shkak të pasojave të mëdha nga ky tërmet, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka njoftuar se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në 10 provinca për tre muaj.

Ne po i shpallim 10 provincat tona ku ndodhi tërmeti si zona fatkeqësish. Ne kemi vendosur të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në autoritetin që na jep neni 119 i kushtetutës për të garantuar që aktivitetet e kërkim-shpëtimit mund të kryhen shpejt.

Në vendet të cilat u goditën nga tërmeti, ishin edhe disa familje kosovare dhe disa sportist. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka bërë të ditur për REL se ambasada e Kosovës në Ankara është në kontakt me kosovarët që ishin atje kur ndodhi tërmeti.

Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër.

Në nderim të mijërave viktimave në Turqi dhe Siri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë.

“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar. Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja”.

Mbi 70 shtete të botës dhe shumë organizata ndërkombëtare tashmë i kanë premtuar ndihmë Turqisë dhe Sirisë për t’u përballur me pasojat shkatërruese të tërmetit. Tashmë shumë ekipe shpëtuese nga shumë shtete, duke përfshirë edhe Kosovën, kanë shkuar në Turqi për t’iu dalë në ndihmë autoriteteve atje, në kërkimin dhe shpëtimin e personave të cilët mund të gjendën nën rrënojat e objekteve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.