
Në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kanal 10 ka përgatitur dokumentar special, intervista ekskluzive e profile të katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Profili i plotë i Jakup Krasniqit:
Me fillimin e luftës, pak dihej për UÇK-në e akoma më pak për njerëzit në krye të saj.
Por njëri prej tyre jo vetëm që kishte refuzuar të mbaj maskë por kishte marrë mbi supe një përgjegjsi të madhe – atë të zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me një uniformë e kapele, në një zyrë të imporovizuar ku anash i qëndronin Fatmir Limaj e Ferat Shala – kjo besohet të jetë ndër paraqitjet e para të zëdhënësit e zërit të lirisë, Jakup Krasniqi.
Jakup Krasniqi nuk ishte vetëm zëdhënësi i UCK-së, por ndër njerëzit kryesorë të saj.
Me intensifikimin e luftës, shpeshtoheshin edhe paraqitjet e tij me komunikata e paraqitje televizive.
Fillimi i negociatave në Rambuje për t’i dhënë fund lufëts, do ta gjente Krasniqin si pjesë e delegacionit Kosovar.
Ai kishte zëvendësuar uniformën ushtarake me rroba civile sikurse në këto pamje.
Pas kthimit nga Rambuje, ai me anëtarë të tjerë pritetn me duartrokitje teksa Krasniqi thotë se “pavarësia e Kosovës varet nga lufta e UCK-së”
Por kush është Jakup Krasniqi?
Krasniqi i lindur me 1 janar 1951 në fshatin Negrovc të komunës së Drenasit, qysh herët kishte nisur aktivitetin ilegal për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në vendlindje dhe të mesmen në Drenas, Krasniqi, studimet i mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, dega Histori.
Më pas kthehet në vendlindje dhe për shumë vite punon si mësimdhënës.
Gjatë kohës sa punonte si mësues, Krasniqi ishte marrë edhe me aktivitete politike në ilegalitet.
Për këto aktivitete, Krasniqi në vitin 1981 ishte burgosur nga pushteti i atëhershëm serb, ku kishte qëndruar deri në vitin 1991.
Krasniqi kishte rol të rëndësishëm në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më përfundimin e luftës, Krasniqi ishte bashkuar me bashkëluftëtarët për të themeluar Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte deri në vitin 2014.
Në vitin 2001, në zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës, Krasniqi ishte zgjedhur deputet i legjislaturës së parë. Ndërsa, pas formimit të Qeverisë së parë, të udhëhequr nga Bajram Rexhepi, Krasniqi ishte bërë ministër i Shërbimeve Publike.
Deputet ishte zgjedhur sërish në vitin 2004, në zgjedhjet parlamentare që ishin zhvilluar atë kohë, ku ishte emëruar shef i grupit parlamentar të PDK-së.
Me ardhjen e PDK-së në pushtet në vitin 2008, pas zgjedhjeve që ishin mbajtur në nëntor të vitit 2007, Krasniqi ishte zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës duke fituar edhe një mandate të ri në vitin 2010.
Në vitin 2014, pas disa përplasjeve me bashkëpartiakët, Krasniqi i ndan rrugët me PDK-në, duke formuar Nismës për Kosovën, bashkë me Fatmir Limajn dhe disa aktivist të kësaj partie.
Me 24 korrik të vitit të kaluar ishte intervistuar nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë
Me 5 nëntor 2020, Krasniqit do t’i ndërpritej padrejtësisht ecja e tij politike e personale duke iu përgjigjur thirrjes së Hagës.
Ka deklaruar pafajësinë e tij, njëri nga zëdhënësit e lirisë së Kosovës./Gazeta10