Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Rexhep Selimi, dhjetëshi i pushkës dhe këngës – profili i Kanal 10 (Video)

Gazeta10
18 February 2023 - 23:32

Në shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kanal 10 ka përgatitur dokumentar special, intervista ekskluzive e profile të katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Profili i plotë i Rexhep Selimit:

Këta burra me maska duke folur para mijëra qytetarëve të Drenicës me 28 nëntor 1997 – do të shënojnë fillimin e një epoke të re për shqiptarët dhe përmbysjen e një tjetër epoke të errët për ta.

Njëri prej tyre ishte Rexhep Selimi, përkrah Daut Haradinajt, shumë i ri në moshë dhe heroit të rënë për liri, Mujë Krasniqi.

Ky moment kthese për Kosovën, do të ishte edhe moment kthese edhe për Rexhep Selimin.

Mosha e re e Rexhës, asnjëherë nuk ishte pengesë që ai bashkë me një grup shokësh të krijonte ajo që quhej si “bërthama e UÇK-së”.

Rexhep Selimi, është njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm.

Rexha, i njohur si “Dhjetëshi” i UÇK-së, do të shfaqej kudo gjatë viteve 90-ta, krah për krah Adem Jasharit e heronjve të tjerë.

Atij nuk i shkonte vetëm pushka e lufta, por edhe kënga e çiftelia.

Në dhjetëra video të realizuara në odat e Kosovës gjatë luftës, Rexha bashkë me heronjtë, Mujë Krasniqi e Beqir Gashi, shfaqen duke i kënduar luftës e lirisë që po vinte.

Teksti i këngës ikonike “Kreshtat e Kosovës” është shkruar nga vetë Rexhep Selimi.

Dashuria e tij për këngën, çiftelinë dhe tekstet e këngëve nuk do të ndalet as brenda qelisë së paraburgimit në Hagë.

Për festat e nëntorit, ai do ta shkrunate tekstin e këngës së interpretuar nga djemtë e Beqir Gashit.

Rexha i qeshur dhe shumë i dashur, do ta befasonte publikun e Kosovës edhe me aftësinë artistike në vizatim.

Me qindra piktura të realizuara në Hagë, ai do të prezantohej me artin e vet para publikut të Prishtinës.

Rexhep Selimi nuk mbeti as jashtë politikës.

Fillimisht me gradën e gjeneral major, nga viti 2000 deri në 2003, Rexhep Selimi ka qenë Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK.

Paraprakisht, Selimi ka qenë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nga e cila parti kishte dhënë dorëheqje, pasi që ky subjekt politik kishte bërë koalicion me LDK-në në vitin 2004.

Më pas, Selimi ishte angazhuar në Lëvizjen Vetëvendosje, nga ku që nga viti 2010, ai ishte zgjedhur vazhdimisht deputet i Kuvendit të Kosovës për katër legjislatura.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, më 6 tetor të 2019-ës, Rexhep Selimi ka qenë si kryesues i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ecja e tij politike dhe personale u ndal në gjysmë me 5 nëntor 2020 kur mori një ftesë nga Haga.

Bashkë me Thacin, Veselin e Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pretendime që Selimi i ka hedhur poshtë.

Në pritje të fillimit të gjykimit në prillin e 2023, Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë së saj, pa disa nga figurat kryesore të luftës dhe paqes./Gazeta10

https://www.youtube.com/watch?v=znHPCMbGkaw&t=222s

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.