
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Lavdi Makshana, ka komentuar në INFO10 veprimet e Prokurorisë Speciale dhe marrjen në pyetje të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazit pas deklaratave se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
Makshana nga IKD, ka thënë se është shqetësuese mënyra se si ka reaguar Prokuroria Speciale, duke lënë një rast kaq të ndjeshëm që të merret në pyetje si dëshmitar Abazi pas 3-4 dite dhe jo menjëherë pas fjalës publike.
“Ne e kemi parë shqetësuese edhe mënyrën e reagimit të Prokurorisë Speciale në rastin konkret, pasi që e dimë që është bë një rast i madh dhe mediatik, Prokuroria është dashur që t’i merr veprimet menjëherë. Pra e kemi pa Abazin që ka dalur në një konferencë për media ku ka treguar që ka disa pretendime që mund t’i shpërbejnë procedurës penale për ta zbardhur rastin e humbjes së mostrave të Astrit Deharit. Ne e kemi pa shqetësuese sepse Prokuroria Special është dashur qysh atë ditë ta thërret të njëjtin dhe s’ka pasur nevojë të pres 3-4 ditë ta marr dëshminë e ta pyes Abazin.”, ka thënë ai.
Makshana, ka thënë se është shqetësues edhe fakti se këtyre prokurorëve iu paguhet edhe kujdestaria, që do të thotë se kanë mundur të marrin veprimet e para menjëherë pas deklaratave të Abazit.
“Po ashtu është shqetësuese sepse prokurorët specialë janë kategoria më e paguar në RKS, dhe paguhen edhe për punën e kujdestarisë dhe është dashur që t’i ndërmarrin veprimet e para kur ka ardhur një informacion që dihet rreth zhdukjes së mostrave të Deharit. Normalisht që është shqetësueses sepse kemi thënë disa herë që është politizuar jashtë mase me këtë rast”, ka thënë ai në INFO10.
Tutje, Makshana ka thënë se partia e cila është në pushtet sa ishte se do të merren me zbardhjen e këtij rasti, por kjo s’ka mundur të ndodh sepse këtë e bën sistemi i drejtësisë dhe jo ekzekutivi, duke theksuar se ky ishte përdorim politik./Gazeta10