Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shembet dheu me vrull në një minierë në Kinë, katër të vdekur e 49 të zhdukur (VIDEO)

Gazeta10
23 February 2023 - 10:14

Të paktën katër persona kanë vdekur e 49 të tjerë janë zhdukur nga shembja e një miniere thëngjilli në rajonin e Mongolisë së Brendshme në Kinë, raportuan mediet shtetërore.

Shembja ndodhi të mërkurën në një minierë të hapur në Alxa League që operohet nga kompania “Xinjing Coal Mining Co”. Nga shembja u krijua mbetje prej rreth 500 metrash e me lartësi deri në 80 metra, sipas raportimeve të medieve shtetërore.

“Porsa e kisha nisur punën në orën 1 e 15 minuta të pasdites, kur mora vesh se gurët po binin nga mali”- i tha të enjten televizionit shtetëror, CCTV, një minator i shtrirë në spital.

“Pashë që situata po bëhej gjithnjë më serioze dhe u organizua evakuimi, por ishte shumë vonë, mali thjesht u shemb”- shtoi ai.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dha urdhër të mërkurën për fillimin e operacionit të kërkim-shpëtimit, raportuan mediet shtetërore, edhe pse një shembje e dytë e dheut në mbrëmje e pengoi punën për të gjetur të mbijetuar.

Për ta parë videon e shembjes, klikoni KËTU.

“Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’i shpëtuar personat e zhdukur dhe për t’i trajtuar të lënduarit”- tha presidenti kinez, raporton agjencia “Reuters”.

Thëngjilli është burim i rëndësishëm i prodhimit të energjisë në Kinë, por minierat e këtij shteti janë ndër më vdekjeprurëset në botë, kryesisht për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë pavarësisht nga urdhrat e vazhdueshëm qeveritarë për përmirësimin e kushteve të sigurisë ndër vite.

Mediet shtetërore raportuan se 300 punëtorë të kërkim-shpëtimit, 60 zjarrfikëse dhe gjashtë qen të kërkim-shpëtimit ndodhen në vendin e shembjes të enjten për t’i kërkuar minatorët e zhdukur.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tha të mërkurën në mbrëmje se gjashtë persona të lënduar janë shpëtuar dhe se ky institucion ka dërguar 15 autoambulanca e 45 pjesëtarë të stafit mjekësor për të dhënë ndihmë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.