Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Është partner i Rusisë por Kina synon përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë

Gazeta10
24 February 2023 - 17:01

Me qëllim të përfundimit të luftës Rusi- Ukrainë, shteti i Kinës ka inicuar një plan 12 pikësh i cili parasheh armpushim dhe negociata për paqen mes dy shteteve.

Kina ka bërë thirrje për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë. Përveç kësaj, Pekini kërkon fillimin e bisedimeve të paqes dhe dhënien fund të luftës. Kërkesat e Kinës janë pjesë e një plani 12 pikësh që Ministria e Jashtme në Pekin i publikoi në1 vjetorin e fillimit të sulmit rus mbi Ukrainën. Po ashtu ky vend kërkon dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë, masa për sigurimin e centraleve atomike, krijimin e korridoreve humanitarë për evakuimin e civilëve, si edhe hapa për sigurimin e eksportit të drithërave.

Kina është përpjekur të paraqitet neutrale në konfliktin e Ukrainës, nga ana tjetër është e lidhur në një partneritet të ngushtë me Rusinë. Ky vend e ka mënjanuar kritikën e drejtpërdrejtë ndaj agresionit rus, madje as nocionin pushtim i Ukrainës nuk e ka përdorur. Pekini ka akuzuar perëndimin, se e ka provokuar konfliktin dhe ka shtuar flakët duke dërguar armë në Ukrainë.

Propozimi kinez përsërit pozicionet e njohura të Kinës, përfshirë edhe nevojën e garantimit efektiv të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve.

Në të njëjtën kohë në planin kinez kërkohet që të merren seriozisht interesat legjitime të sigurisë të të gjitha shteteve. Me këtë Kina i referohet argumentimit rus, se duhet të mbrohet kundër SHBA-së dhe NATO-s. Nga ana tjetër qeveria e Pekinit ka kërkuar dhënien fund të mentalitetit të luftës së ftohtë, një përcaktim standard kinez ky, për atë që nga Kina sheh si hegjemoni amerikane dhe përzierje në çështjet e vendeve të tjera. Kina i trembet një shkallëzimi të luftës dhe daljen jashtë kontrolli të saj. Pekini është shprehur se do të kërkojë edhe më tej bisedime të paqes dhe do të ofrojë “mençurinë kineze” për këtë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshëndetur planin e paqes para publikimit dhe ka bërë fjalë për një hap të parë të rëndësishëm. “Që Kina në përgjithësi ka filluar të flasë për paqen në Ukrainë, mendoj se nuk është gjë e keqe”, tha Zelensky. /dw / Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.