
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me pajtimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq lidhur me planin evropian, raporton Gazeta10.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë se takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por që kjo mbetet punë e vështirë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë.”, ka thënë zëdhënësi i Depertamentit, Ned Price.
Tutje, SHBA-ja ka vlerësuar se thelbësore në normalizimin e marrëdhënieve mbetet formimi i Asociacionit nga ana e Kosovës.
“Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike.”, ka përfunduar zëdhënësi Ned Price. /Gazeta10