
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në partneritet me Bashkimin Evropian dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot Grantet e Performancës Komunale në vlerë prej 7.85 milionë euro për gjashtë komunat me performancën më të mirë në Kosovë.
Grantet iu dhanë Gllogocit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021 në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike.
Si komunat më të dalluara nga komunat me performancën më të mirë, sipas grupit të treguesve të përcaktuar qartë, Gllogoci – vendi i parë mori mbi 2 milionë euro, Lipjani – vendi i dytë dhe Obiliqi – vendi i tretë, morën shuma më të larta për t’i stimuluar që ta përmirësojnë më tej transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tyre, dhe të ofrojnë shërbime cilësore që përputhen me nevojat e qytetarëve të tyre.
Nga shuma totale për grantet, MAPL ka siguruar 3.5 milionë euro, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 4.35 milionë euro të tjera.