
Kryeministri Albin Kurti u është përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës se ai ka ndryshuar qëndrim duke thënë se ndryshimi është vetëm te deklarimet e opozitarëve.
“Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë”, ka thënë ai.
Duke përmendur emrat e deputetëve që kanë votuar për formimin e Asociacionit më 2013, Kurti ka thënë se qëndrimet e tyre tash tregojnë se “po shohin me sy tjerë”.
“Pra bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar Zajednicën më 2013, por tash më kritikojnë mua sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht. Edhe ky ndryshim i përjetuar deklarativisht është rezultat i VV-së. Pa VV-në s’do ta kishim as këtë. S’kam ndryshuar unë, por sytë e juaj. Ju po këqyrni ndryshe tash”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se “asgjë sikur trashëgimia e ish-qeverive” s’e ka detyruar “të bëhet më strategjik”.