Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Bruksel, bujqit në protestë me 2.500 traktorë kundër politikave të qeverisë

Gazeta10
03 March 2023 - 17:02

Bujqit belgë hynë në Bruksel me rreth 2.500 traktorë për të protestuar kundër politikave bujqësore të qeverisë. Me thirrjen e organizatave të bujqve në Rajonin Flaman, shumë bujq demonstruan në Bruksel kundër politikave bujqësore të pushtetit vendor.

Bujqit, që drejtuan traktorët e tyre nga Rajoni Flaman për në Bruksel nëpërmjet rrugëve kryesore, shkaktuan ndërprerje të trafikut në qytet.

Protestuesit erdhën me rreth 2.500 traktorë dhe u mblodhën në rrugën Arts Loi në qendër të Brukselit. Ata parkuan traktorët e tyre në rrugë dhe ndërprenë trafikun, duke thirrur parulla për shkak të pakënaqësisë, raporton Anadolu, përcjell Gazeta10.

Protestuesit varën pankarta ku shkruhej “Pa bujqit nuk ka ushqim dhe të ardhme”, duke kundërshtuar planin e qeverisë flamane për të kufizuar emetimet e azotit në sektorin e bujqësisë deri në vitin 2025.

Ata theksuan se nëse plani i qeverisë për të ulur sasinë e azotit hyn në fuqi, ata nuk do të mund të merren me bujqësi dhe blegtori dhe do të hyjnë në krizë ekonomike.

Policia këshilloi qytetarët që të mos vijnë në qytet me mjetet e tyre private dhe të përdorin mjetet e transportit publik, si metroja dhe treni.

Komisioni i BE-së nuk ka lëshuar fondet për bujqit në rajon sipas Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP), pasi i ka konsideruar të pamjaftueshme masat për reduktimin e azotit të Rajonit Flaman.

Për këtë arsye, qeveria flamane ka përgatitur një plan për reduktimin e azotit në mënyrë që të sigurojë marrjen e këtyre fondeve. Nëse BE-ja miraton planin, i cili aktualisht është duke u negociuar mes partive politike në qeveri, bujqit flamanë do të marrin 550 milionë euro në mbështetje të drejtpërdrejtë dhe 1,6 miliard euro subvencione.

Megjithatë, për të reduktuar emetimet e azotit në Rajonin Flaman, kërkohen ndryshime të mëdha në aktivitetet e bujqësisë dhe blegtorisë. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.