Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim çështjen për kryetarin e PD-së

Gazeta10
03 March 2023 - 22:10

Gjykata e Apelit në Shqipëri vendosi të premten që ta rrëzojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që i dha të drejtë Sali Berishës të marrë drejtimin e Partisë Demokatike (PD), si dhe vendosi që çështja të kthehet në rigjykim.

Vendimi i shkallës së parë, që u mor më 25 mars të vitit të kaluar, e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe vendimet që u morën prej tij në dhjetor të vitit 2021. Veç tjerash, ky kuvend vendosi për shkarkimin e të gjitha strukturave dhe drejtuesve të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha, ndryshimin e statutit, të logos, si dhe zgjedhjen e Berishës në krye të PD-së.

Vendimi u ankimua nga kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Pas verdiktit të gjykatës, Sali Berisha në një deklaratë për media tha se vendimi ishte politik.

“Sot Edi Rama dha vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit. Gjykata lexoi vendimin e përgatitur me kohë nga Rama. PD është sot një parti më e fuqishme se kurrë. Do mbledhim së shpejti forumet drejtuese dhe do marrim të gjitha vendimet e duhura për të vijuar misionin tonë në mënyrën më të fuqishme”, tha Berisha, ndërsa nuk pranoi të merrte pyetje nga gazetarët.

Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit, grupimi i udhëhequr nga Alibeaj do të përfshihet në garën zgjedhore të 14 majit, si Partia Demokratike institucionale, që njihet zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.