
Këtë të diel janë luajtur edhe tri ndeshjet e fundit të xhiros së 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Fokusi kryesor ishte në Gjilan, ku përballë ishin dy klubet nga ky qytet, Drita e Gjilani, ndeshje e cila përfundoi në të mirë të bardhekaltërve.
Ndeshja përfundoi me rezultat minimal në favor të Dritës, me golin e shënuar nga Blend Baftiu në fund të pjesës së parë.
Ndeshje tjetër interesante u luajt edhe në Podujevë, ku Llapi ishte nikoqir i kampionit aktual, Ballkanit.
Ky duel, i zhvilluar në “Zahir Pajaziti” dhuroi festival golash, me Llapin që doli fitues me rezultat 3-2. Vendasit kaluan të parët në avantazh, mirëpo i menjëhershëm qe reagimi i therandasve, të cilët e përmbysën rezultatin në 1-2.
Mirëpo, Llapi u rikthye përsëri në lojë, duke arritur fitoren pas dy golavë të shpejtë, të shënuar nga Adem Maliqi dhe Bianor Neto.
Ndërkohë, Prishtina pësoi humbje nga Malisheva. Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli shënoi fitore me rezultat 2-1.
Pas këtyre ndeshjeve, kemi ndryshim edhe në kreun e tabelës, me Dritën që tani kryeson me 51 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Ballkani, i cili ndodhet në pozitën e dytë me 50 pikë.
Me fitoren e arritur ndaj kryeqytetasve, Malisheva tani poziocionohet e 7-ta në tabelë, kështu duke i ikur zonës së barazhit.
