Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Haradinaj zbulon në ‘Politiko’ planin për rotacionin në qeverisjen opozitare: Kurti ka me përfundu në burg!

Gazeta10
19 November 2024 - 7:56

Të hënën ‘Politiko’ është zhvendosur në mesin e mërgimtarëve në Augsburg të Gjermanisë. Në një intervistë ekskluzive me Kushtrim Sadikun, kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për objektivat dhe planet e tij për të qeverisur Kosovën, koalicionin me Nismën Socialdemokrate, ndërsa ka shprehur pikëpamjet e tij për asociacionin, qeverinë dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se diaspora është një shtyllë e fuqishme për ekonominë e Kosovës.

“Kosova në vazhdimësi ka pasur mundësi të vazhdojë rritjen e vet që nga rikthimi, po flas pas luftës dhe gjatë luftës, me mërgatën kemi qenë gjithmonë bashkë po ka mbërri me vazhdu rritjen e vet edhe falë remitencave nga diaspora”, ka thënë Haradinaj para mërgimtarëve.

I pyetur se çfarë do të bëjë AAK për diasporën, Haradinaj ka theksuar se do të jenë bashkë në tavolinë me mërgimtarët për të gjitha temat që lidhen me marrjen e vendimeve.

“Për të gjitha temat që lidhen bilateral Kosovë dhe vendi ku jetojnë mërgimtarët, besoj që do të jemi gjithmonë në tavolinë bashkë në marrjen e vendimeve”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, e ka cilësuar si “bashkim të forcave për qëllime patriotike”.

Para mërgatës në Augsburg të Gjermanisë, Limaj ka thënë se me AAK-në i kanë qëllimet e qarta për Kosovën.

“Janë bashku forcat patriotike. Janë bashkuar me qëllime të qarta dhe të mira, Kosova gjithmonë ka me fitu”, ka thënë Limaj para mërgatës.

Ai ka theksuar se do të vazhdojnë të punojnë drejt objektivave të tyre.

“Ne të bashkuar do të vazhdojmë të punojmë bashkë për të zhvilluar një familje të madhe patriotike, burra e gra të Kosovës, intektualë  për të shkuar drejt një objektivi, të cilin besoj do ta shpalosë kryeministri objektivat tona të përbashkëta”, ka thënë Limaj.

Tutje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm.

Ai ka kujtuar kohën e themelimit të ushtrisë së Kosovës, të cilën e ka përshkruar si një “rrugë jo të lehtë”, duke theksuar se kriterat e vendosura atëherë do t’u shërbejnë në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Që nga koha e themelimit të ushtrisë aty i kam pare kriteret që me u bo palë se nuk ka qenë e lehtë me iu pranu Kosovës që me pasë ushtrinë e vetë. Ato kritere janë përafërisht e njëjta që me na u pranu e drejta e anëtarësimit në NATO”, ka thënë Haradinaj para mërgatës në një intervistë ekskluzive në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Për më tepër, Haradinaj ka theksuar se AAK e ka një propozim për anëtarësimin e Kosovës në NATO ndërsa është shprehur i bindur se me po të njëjtin do ta kenë të lehtë t’i bindin shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“E kemi shfrytëzu bazën ligjore të atëhershme, planin dhjetëvjeçar dhe e kemi ofru kandidaturën tone për NATO për anëtarësim direkt, pa pasë nevojë me kalu për partneritetin për paqe po direkt në NATO me planin aksional, i cili është i dizajnum. Pra kemi përgatitur propozimin tonë, i kemi njoftu për përmbajtjen e kërkesës sonë veç vendimmarrësit”, ka thënë Haradinaj.

Ai gjithashtu ka thënë se ka mungesë të vullnetit të ndërkombëtarëve për ta detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën.

Megjithatë, njohjen nga Serbia e ka cilësuar si një hap të mirë, ngaqë siç tha Haradinaj, do t’i mbyllte disa çështje të hapura.

“Do të ishte shumë e mirë sikur të ndodhte njohja nga Serbia. Ajo do ta mbyllte në tërësi çdo çështje të hapur si të krimeve të luftës, atyre dëmeve të luftës që kanë ndodhur”, ka thënë Haradinaj në ‘Politiko’ me Kushtrim.

Teksa ka shpalosur planin e tij, Haradinaj e ka quajtur më të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në NATO sesa njohjen nga Serbia, duke thenë se suksesi i Kosovës nuk mund të lidhet me njohjen dhe pritjen e stërzgjatur nga Serbia.

“Për mos me mbet peng i kësaj klime ndërkombëtare, unë kam propozuar që neve të na jepet NATO. Pra, në vend që me na njoftë Serbia edhe me nënshkru marrëveshjet, për mua mjafton që vendet anëtare të na ndihmojnë me hy në NATO”, ka thënë Haradinaj.

Para mërgatës në Gjermani, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar edhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka theksuar se qysh në javën e parë të qeverisjes, asociacionin do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Javën e parë të qeverisjes, asociacionin e dërgoj në Gjykatë Kushtetuese. Ekziston çdo herë mundësia që Gjykata Kushtetuese edhe me rrëzu krejt ose me i hudh poshtë disa pika të asociacionit”, ka thënë Haradinaj.

Përshpejtimin e këtij procesi, Haradinaj e ka lidhur me zhvillimet e reja në Evropë dhe Washington.

“Nuk kam kohë me i humb Kosovës me këto zhvillimet e reja si në Evropë dhe si në Washington sepse mund të marrim goditje të papërballueshme dhe më të mëdha sesa këto që i kemi marrë deri tash për shtetësinë tone”, ka thënë Haradinaj në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Teksa ka folur për proceset për Kosovën, Haradinaj nuk ka kursyer kritikat për kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

Në një intervistë në ‘Politiko’, Haradinaj ka akuzuar qeverinë Kurti për ‘vjedhjen’ e tenderëve, ndërsa ka thënë se shumë prej tyre do të përfundojnë në burg për korrupsion.

Madje, ai ka përmendur edhe përplasjet e Kurtit me institucionet e drejtësisë në vend.

“Unë besoj që shumë prej tyre kanë me përfundu në burg për tenderët njëburimorë. Sa here që prokuoria e heton për korrupsion, a e keni vërejt që Kurti e sulmon prokurorinë”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur se a mund të përfundojë kryeministri aktual në burg, Haradinaj është shprehur i bindur se ai është i përfshirë në korrupsion dhe se për këtë duhet të përfundojë në burg.

“Kurti është kandidat shumë serioz me përfundu në burg për korrupsion”, ka thënë Haradinaj para mërgatës në Gjermani.

Sipas Haradinaj, Kurti e ka shkelur çdo qëndrim të tij dhe se asnjë premtim nuk e ka mbajtur.

“Nuk e di qysh ka fytyrë me dalë popullit. Boll zor e ka. Para zgjedhjeve thojke ata kanë truproja, ata kanë xhipa, ata këta. E pashë edhe këtu në mërgatë kish ardh me shumë truproja, u tutke edhe prej popullit të vet”, ka thënë Haradinaj para mërgatës në një intervistë në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Haradinaj ka thënë se Kurti ka gënjyer në vazhdimësi qytetarët e Kosovës, duke filluar nga çerdhet për fëmijët dhe deri te banesat për çiftet e reja.

“Si ka mundësi që një njeri që ka rrejtë kaq shumë, si ka mundësi që del edhe një here me kërku mandat? Cila është puna e tij?”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u është kundërpërgjigjur gjithashtu akuzave se gjatë qeverisjes së tij është takuar me Milan Radojçiq, i cili asokohe ka qenë në krye të Listës Serbe.

Haradinaj e ka pranuar se është takuar me Milan Radojçiq në kohën sa ka qenë në qeverisje, porse ka theksuar se situata në atë kohë ka qenë krejtësisht ndryshe.

“Në kohën e qeverisjes Haradinaj, policia ka shku e ka marrë një zyrtar të Serbisë e ka pru në Prishtinë dhe e ka përcjellë në kufij. Ju kujtohet që Radojçiq që tash është bo kaq i zoti, ka qenë njo prej atyne. Policia ju ky hy në shtëpi në qeverisjen time”, ka thënë Haradinaj në një intervistë në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.

Tutje, ai ka thënë se në kohën e qeverisjes së tij, Radojçiq ksihte ikur dhe nuk ishte kthyer më në Kosovë.

“Këta po munohen jo e ka taku Ramushi-Radojçiqin. Po e kam taku si Albini-Rashiqin se edhe Rashiqi mund të bëhet naj kriminel. Por në kohën e qeverisjes sime, policia i ka hyrë në banesë. Ai ka ik dhe ma s’u kthy në Kosovë”, ka thënë ai.

Krejt në fund, mërgimtarët e pranishëm në tubimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shtruan edhe pyetje për Haradinajn.

Në mesin e tyre, mërgimtari Rexhep Pantina ka pyetur Haradinajn për bashkëpunimin që ka pasur me Kurtin në të kaluarën.

“Z.Ramush Haradinaj, unë e kam ditë që Albini është i Serbisë qysh në 2004-ën. Tu desht 20 vjet me ditë kur ke bashkëpunu me ta. Duhet me ju kërku falje simpatizantëve të tu dhe atyre policëve që nuk e ken lane me arrestu atë kriminel, atë bashkëpunëtor të Serbisë se e ke ditë në 2004 qysh e ka zanë Albinin”, ka pyetur mërgimtari.

Në ndërkohë, Haradinaj i është përgjigjur duke i thënë “në atë kohë në opozitë i kem pasë shumë këto informata, por po të siguroj që kanihere nuk i besojshim”.

“Sikur te kishim ditë që ky ka me i bo këto punë sikur i ka bo, besom që atëherë ishim distancu, por nuk e ka pritë kush. Kurrë nuk e kam besu që vjen dita me na dënu Gjermania ose Amerika. U kanë e pabesueshme”, ka thënë Haradinaj.

Edhe Brendon Duraku, kryetari i zgedhur i degës së AAK-së në diasporë pati pyetje për autostradën e Dukagjinit, e ku nuk munguan edhe premtimet e mëdha të Haradinajt.

Ai ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të bëhet një autostradë e hekurudhë, të cilat do të krijojnë mundësi për qëllime ushtarake.

“Ne me anëtarësim në NATO, po dëshirojmë që një pjesë të infrastrukturës tonë me kualifiku edhe si interes i NATO-s me shpresë që do të marrim bashkëinvestim. Edhe hekurudha për Shqipëri do të bëhet sepse këto që i kemi janë të lodhta”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë bashkë me Nismën Socialdemokrate në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.