
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk u përgjigj nëse nesër do të bëjnë propozimin për Kryeparlamentar në vazhdimin e seancës konstituive.
“Nesër e kanë thirrë seancën e Kuvendit, do të jemi aty”, tha Kurti për gazetarë.
Ai tha se ndërkohë do të vazhdojnë takimet dhe bisedimet politike me synimin që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
“Vazhdojmë me takime e bisedime në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet, që janë të paarsyeshme e të kushtueshme”, tha Kurti.
I pyetur nëse do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me aktorë të tjerë politikë.
“Jam vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’ua shtroni pyetjet atyre që thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh Kurti.
Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë para seancës së Kuvendit, në një kohë kur partitë politike po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për konstituimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.