
Ambasadori gjerman në Kosovë Reiner Rudolph ka deklaruar se situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është përmirësuar dhe se zhvillimet e dhunshme të viteve të kaluara tashmë i përkasin së kaluarës.
Duke folur për incidentet e ndodhura në Banjskë dhe në kanalin e Ibër Lepencit, Rudolph tha se është lajm i mirë që ngjarje të tilla nuk janë përsëritur.
Ai theksoi se ka ardhur në Kosovë në tetor dhe ka qenë dëshmitar i raundeve të zgjedhjeve lokale, të cilat sipas tij u zhvilluan në mënyrë të qetë, si dhe tranzicioni i pushtetit në katër komunat veriore u krye pa incidente.
“Para dy ose tre javësh kam qenë në veri dhe i kam vizituar të katër kryetarët e komunave. I përgëzova për mënyrën se si u realizua tranzicioni i pushtetit. Ata pranuan se ende përballen me vështirësi në komunat e tyre, por përshtypja ime është se ky transferim pushteti ka funksionuar dhe po funksionon. Shpresoj që të vazhdojë kështu”, ka deklaruar ai.
Ambasadori shtoi se çështja e sigurisë nuk ka të bëjë vetëm me veriun, por në përgjithësi me pozitën e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëjetesës në të gjithë vendin.