
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar politikat ekonomike të vendit, duke vlerësuar se Kosova po vazhdon të mbetet prapa vendeve evropiane në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji dhe standard të jetesës.
Ai ka thënë se orientimi kryesor i politikave shtetërore duhet të jetë rritja e investimeve dhe jo mbështetja e vazhdueshme vetëm përmes ndihmave financiare.
“Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë kështu. Në ekonomi, të fundit në Evropë, shëndetësi, të fundit në arsim, të fundit në teknologji, të fundit si standardin e jetesës. Vite do të kalojnë, do të na rriten edhe më shumë çmimet siç po rriten sot. Do të kemi nevojë për më tepër ndihma për t’i përballuar këto çmime. Dhe këto ndihma kanë për të rritur prapë çmimet, sepse këtë punë ndihmat bëjnë, rrisin konsumin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka paralajmëruar se kjo qasje rrezikon ta lërë Kosovën pa investimet për të cilat ka nevojë vendi.
“Dhe në fund do të mbesim vetëm me çmime në rritje dhe me nevojë për më tepër ndihma. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike, do të mbesim pa gjënë e vetme për të cilën ka nevojë Republika jonë, pa investime dhe natyrisht me më pak vite jetë”, është shprehur ai.
Kreu i LDK-së ka theksuar se kritikat e tij nuk nënkuptojnë kundërshtim të rritjes së pagave apo ndihmave për qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se LDK-ja synon koeficientin e pagave prej 150.
“Dhe mos më keqkuptoni. Kjo kritikë vjen nga unë dhe nga LDK-ja që për koeficient page ka synim koeficientin 150. Pra ambicia jonë për paga është shumë e lartë, por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyja. Edhe ndihma, edhe investimet. Por fillimisht shumë më shumë investime sesa ndihma”, ka deklaruar Abdixhiku.